Pas katër ditësh si i zhdukur, para pak minutash policia e Kosovës ka konfirmuar gjetjen e mërgimtarit me prejardhje nga Kaçaniku.
Mërgimtari që jeton në Austri është gjetur në magjistralen Kaçanik-Ferizaj, përkatësisht në një restorant.
I njëjti kishte ardhur për pushime në Kosovë, ndërsa familjarët e tij nuk kanë ditur asgjë për vendndodhjen e tij, pasi kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer.
Lajmin për gjetjen e tij e ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënës në Policinë Rajonale të Ferizajt.
“Rreth orës 13:42 në magjistralen Kaçanik-Ferizaj është gjetur personi në fjalë, qytetarët e kanë njohur, policia e ka marrë dhe e kanë dërguar në stacion, por fillimisht e kanë dërguar në qendrën ambulantore për t’ia kontrolluar gjendjen, pastaj e kanë intervistuar”, tha Veseli për Gazetën Express.
I pyetur nëse mërgimtari ishte me ndonjë person gjatë kohës sa u gjet, Veseli tha “paska qenë edhe një familjar i tij, por nuk dihet saktë”.
Ai shtoi se mërgimtari është parë në gjendje të mirë shëndetësore, por sipas praktikës, zakonisht personat e lajmëruar si të zhdukur fillimisht zhvillojnë një kontroll mjekësor.
Për zhdukjen e tij ka njoftuar sot policia me anë të raportit 24-orësh, teksa arsyet e largimit nga shtëpia mbeten akoma të panjohura.
Sipas polcisë, ai ishte larguar nga shtëpia më 1 shtator.