Sic shkruan sot gazeta Koha Ditore në Prishtinë kjo ështe vetëm se mërgimtarët janë bartës të sigurimeve shëndetësore të huaja. Institucionet shëndetësore e pranojnë se ekziston një tarifë pesëfish më e lartë për qytetarët, qoftë edhe kosovarë, të cilët në momentin e vizitës te mjeku tregojnë që kanë sigurime shëndetësore jashtë Kosove.
Ndërsa Ministria e Diasporës shumëfishimin e çmimit e konsideron diskriminues.
Gati 50 euro i ka kushtuar trajtimi i një frakture të dorës, Agon R. nga Peja, i cili jeton në Norvegji. Ai gjatë ditës së martë është trajtuar në Spitalin Regjional të Pejës.
Një familjar i këtij pacienti, i cili jeton në Kosovë, i ka thënë “Kohës Ditore” se e kanë befasuar çmimet për të cilat është detyruar që t’i paguajë.