Fondacioni “Mërgimtarët nga Zvicra për Gostivarin” po vazhdon me ndihma, derisa kësaj radhe ka dhuruar çanta dhe mjete mësimore për 100 nxënës me status të rrezikuar social.
Aksioni i tyre gjet mbështetjen edhe nga Komuna e Gostivarit, me ç’rast “Alpina” siguroi çantat, ndërsa Komuna mjetet mësimore edhe për 100 nxënës të tjerë, shkruajnë mediat shqiptare të Maqedonisë.
200 çanta dhe mjetet e nevojshme mësimore janë të dedikuara për nxënësit e ciklit të ulët shkollor, respektivisht prej klasës së parë deri në klasën e pestë të shkollës fillore, të cilët vijnë nga familjet me status të rrezikuar social, si dhe për nxënësit me nevoja speciale, përcjell albinfo.ch.
Komuna e Gostivarit inkurajon dhe i mbështet të gjithë ata të cilët në mënyra të ndryshme tregojnë në vepër humanitetin e tyre, e sidomos kur ndihma dhe kontributi i tyre u dedikohet fëmijëve.
Mjetet janë shpërndarë në shkollën “Ismail Qemaili”, derisa fëmijët janë shprehur shumë falënderues për ndihmën, raporton “TV Globi”.
Kjo nuk është ndihma e vetme nga Fondacioni “Mërgimtarët nga Zvicra për Gostivarin”, që ka ndihmuar edhe të kaluarën, por do ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.