“Mërgimtarët pos që paguajnë tatimin në pronë, ata kryejnë edhe pagesa të tjera që lidhen me taksat komunale dhe çështje të tjera pronësore, e që përfituese në këtë rast është vetë komuna”, thotë Feriz Bajrami, përgjegjës i tatimit në pronë në Komunën e Gjilanit.
Siç raporton rajonipress, korriku dhe gushti janë muajt e “frytshëm” si rezultat i pagesës që bëjnë mërgimtarët.
“Kemi pasur raste ku vetëm për një ditë kemi pasur pagesa deri në 29 mijë euro. Ka rritje dhe shtim të buxhetit krahasuar me vitin e kaluar sa i përket pagesës së tatimit në pronë”, tha Bajrami.
Nëse krahasohet periudha korrik- gusht 2013 me këtë vit del se për një muaj e gjysmë në vitin 2014 janë mbledhur 286 mijë e 712 euro, derisa e njëjta periudhë e vitit 2013 ka pasur një pagesë prej 246 mijë e 983 euro, e që del se në vitin 2014 ka pasur një pagesë më të lartë për 39 728 euro.