Futbollisti kosovar, Mehmet Hetemaj është heroi i ditës pasi shpëtoi një fëmijë nga mbytja në Finlandë.
Një fëmijë po freskohej në liqen, por ai nisi të fundosej. Menjëherë ka ndërhyrë futbollisti SJK-së i cili ishte në afërsi të liqenit artificial, shkruajnë mediat vendore.
Fillimisht ka ndërhyrë nëna e futbollistit, por më pas ka pasur telashe edhe ajo. Në ujë është futur edhe Hetemaj.
“Nëna ime arriti shpejtë te fëmija. Por kuptova se të dy janë në telashe. Më pas u futa në ujë edhe unë. Arrita te vogëlushi dhe e ngrita atë mbi sipërfaqe të ujit. Më pas e kam dërguar deri në breg”, ka treguar Hetemaj për mediat finlandeze, përcjell albinfo.ch.
Nëna e djaloshit e ka falënderuar Hetemajn që i shpëtoi djalin nga mbytja.
Futbollisti shqiptar ka lindur në Skënderaj, ndërkohë që me gjestin e sotëm mund të quhet një hero i vërtetë.
Për rastin e së shtunës kanë shkruar edhe shumë media në Itali, ku Hetemaj ka bërë karrierë në të kaluarën.
Hetemaj ka pasur idenë se nxjerrja e një fëmije nga uji është gjë e lehtë, por ka kuptuar se nuk është. Është raportuar se fëmija ishte rreth dhjetëvjeçar.
Hetemaj 32-vjeçar ka një ndeshje me Kosovën, ndërsa ka luajtur edhe për Finlandën.
Në Itali ka luajtur për skuadra si Albinoleffe, Reggina e Monza. Ka luajtur edhe në Greqi dhe në disa skuadra në Finlandë.