Mbështetje për turizmin malor- ‘High Scardus Trail’ është shtegu më i ri hiking dedikuar eksploruesve të natyrës, që lidh malet në zonat kufitare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Ai nis nga mali i Sharrit në Maqedoni dhe pasi përshkon 495 km përfundon në Shqipëri, në zonën e Prespës. ‘High Scardus Trail’ është produkt turistik i projektit rajonal “Perspektiva e ardhshme përmes turizmit malor”, i financuar nga Qeveria gjermane dhe i zbatuar nga GIZ me qëllim rritjen e mundësive të punësimit përmes turizmit në rajonin kufitar mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Për të përshkuar gjurmën në tërësinë e saj, nevojiten 20 ditë ecje.
Ky është përshkrimi më i shkurtër për shtegun e ri ‘High Scardus Trail’, i cili mban emrin antik të malit Sharr. Zona e pasur me liqene natyrore dhe maja mbi 2700 metra lartësi, përshkron përmes zonës së Dibrës. Shtegu i ri ka shfaqur interes tashmë te shumë media të huaja. Pas “Lonely Planet”, një shkrim promovues për shtigjet malore të Korabit dhe Sharrit ka shkruar edhe media gjermanofone travelbook.de.

“Një ngjitje e re fton të gjithë dashamirët e natyrës, për të eksploruar juglindjen e Europës”, përcjell albinfo.ch shkrimin e travelbook.de. Ngjashëm edhe numri i fundit i Albinfo ishte “Shqipëria përtej bregdetit”, për t’u njohur me anën malore të Shqipërisë.
Europa Juglindore po bëhet gjithmonë e më e dashur, ku natyra e saj nuk të ofron vetëm rërën dhe detin, por edhe malet dhe parqet kombëtare.


