Brenda më pak se 24 orësh, më shumë se 6,800 njerëz kanë nënshkruar një peticion online për pranimin e menjëhershëm të refugjatëve afganë në Zvicër.
Vëmendje e veçantë me këtë rast duhet t’u kushtohet grave dhe vajzave që pritet të humbasin të gjitha të drejtat e tyre në të ardhmen e afërt, shkruan srf.ch.
“Një katastrofë humanitare po afrohet në Afganistan”, shkruan në një deklaratë Lucas Tschan, personi që ka iniciuar peticionin në internet, transmeton albinfo.ch.
Nënshkruesit i bëjnë thirrje Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM) dhe Departamentit Federal të Punëve të Jashtme (EDA) të pranojnë të paktën 5,000 refugjatë nga Afganistani.
Ndërkaq në pasditen e djeshme rreth 400 persona kanë marrë pjesë në një tubim kundër talebanëve para Pallatit Federal, në Bernë. Këtë tubim e kanë organizuar një grup afganësh në mërgim me emrin “Jeta ime në Zvicër” dhe Rrjeti i Solidaritetit të Migrantëve, me seli në Bernë.
Qyteti i Bernës kishte miratuar demonstratën si një tubim spontan.
Pjesëmarrësit në tubim kanë bërë thirrje për mbështetje për banorët e Afganistanit në pankarta. Sloganet e thirrura në këtë tubim ishin: “Poshtë talebanët” dhe “Ne nuk duam Sheriatin”.
Mortaza Shahed nga “Jeta ime në Zvicër” ka thënë në margjinat e tubimit se, sipas tij, gjëja më e rëndësishme do të ishte që Zvicra të zgjerojë ndihmën humanitare në vendet fqinje të Afganistanit, përcjell albinfo.ch. Në vetë vendin aktualisht pak gjë mund të bëhet për shkak të talebanëve.