Sa më të mëdha që janë ndërmarrjet, kompanitë, aq më pak ka gjasa që ato të udhëhiqen nga një grua. Në më pak se 5 për qind e kompanive që zhvillojnë bizneset e tyre në nivel global kryemenaxhere janë gratë. Këto konstatime vijnë nga një raport që ka përpiluar Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).
Ndërkaq, përqindja e grave në strukturat udhëheqëse, gjegjësisht në bordet drejtuese të kompanive në fjalë paraqitet më e lartë edhe pe jo e mjaftueshme. Në katër vende të botës kjo përqindje kalon shifrën 20. Bëhet fjalë për Finlandën, Britaninë e Madhe, Norvegjinë dhe Suedinë. Në Zvicër femrat përbëjnë 10 deri 20 për qind të bordeve.
Sipas raportit të përmendur të ILO-s, edhe pse gratë janë të përfaqësuara ende shumë dobët në drejtimin e kompanive, numri i femrave që bëjnë pjesë në kuadrin e mesëm dhe të lartë ka shënuar një rritje në njëzet vitet e fundit.
Zvicra, sa i përket pjesëmarrjes së gruas në menaxhim por edhe përqindjes në mesin e kuadrove nuk mund të lavdërohet shumë. Ajo në këto kategori ndan me Kinën vendin e 44-t në nivel botëror. Në të dy vendet përqindja e gruas në pozitat e larta është 33.2%. Por, megjithatë Zvicra ka shënuar një përparim të konsiderueshëm në këtë drejtim. Në vitin 2000 kishte vetëm 23.2% gra në këtë kategori.
Për të realizuar këtë raport, ILO ka shikuar strukturat drejtuese të ndërmarrjeve në 80 vende të botës.