Më të zëshmit ose më aktivët në mesin e deputetëve të të dy dhomave të Parlamentit të Zvicrës janë ata të Partisë Socialdemokrate (SP/PS). Këtë përfundim e ka nxjerrë një hulumtim i realizuar nga gazetat “SonntagsZeitung” dhe “Maton Dimanche”.
Ndërsa në mesin e tyre, kampion në këtë drejtim është vetë kryetari i kësaj partie, Christian Levrat, njëherësh deputet në Dhomën e Kantoneve. Levrat ka kaluar plot 217 minuta në pultin e deputetit nga fillimi i kësaj legjislature, që i bie nga nëntori i vitit 2015. Kjo kohëzgjatje është mjaft impresionuese kur dihet se mesatarja e aktivitetit foljor të një deputeti ka qenë 75 minuta në Dhomën e Kantoneve dhe 33 minuta në Dhomën Nacionale, transmeton albinfo.ch. Në këtë të fundit, është e kufizuar koha e foljes.
Ndërsa 12 deputetët socialdemokratë në këtë dhomë, i kanë tejkaluar kolegët e tyre nga partitë tjera për rreth 200 minuta. Ndërsa në Dhomën Nacionale, parlamentarët e SP-së kanë folur mesatarisht 36 minuta më shumë se kolegët e tyre.
Këtë aktivitet të shtuar, kryetari i SP-së, Levrat e ka arsyetuar kështu: “Për shkak të rrëshqitjes së parlamentit nga e djathta, anëtarët e SP-së kanë pasur nevojë që veçanërisht në çështjet ekonomike të jenë më aktibvë duke kundërshtuar “sulmet nga kampi i djathtë”.