36-vjeçari po udhëtonte drejt Greqisë, por u ndalua në pikën kufitare të Qafë Botës. Këtë mbrëmje drejtori i përgjithshëm i doganave ka njoftuar se ka shkarkuar nga detyra Arten Ibrahimin, 36-vjeçarin e kapur me drogë në makinën e tij. I riu punonte si doganier në pikën kufitare të Tre Urave në Sarandë
NJOFTIMI I DOGANAVE:
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gjon Bardhi, ka reaguar duke i zgjidhur menjëherë marrëdhëniet e punës shtetasit Arten Ibrahimi, me detyrë doganier peshore/Pikë Kontrolli, Zyra e Operacioneve Doganore, Dega Doganore Tre Urat.
Zgjidhja e marrëdhënieve të punës me shtetasin në fjalë u bë pas ndalimit nga Policia të tij në Pikën Kufitare të Qafë Botës, ku në mjetin që ai drejtonte u gjet lëndë narkotike.
Për vetë përgjegjësitë veçanta që ka Dogana Shqiptare konsiderohet shkelje shumë e rëndë kur nga vetë punonjësit e ADSH shkelen ligjet që rregullojnë punën e Doganave Shqiptare, ose që kanë lidhje me të dhe për të cilat janë ngarkuar t’i zbatojnë.
Në këto kushte, posedimi i lëndëve narkotike përbën shkelje shumë të rëndë të disiplinës në punë, duke ulur imazhin dhe integritetin e ADSH-së,duke cenuar misionin e Doganës në arritjen e standardeve më të larta të etikës në fitimin e besimit të publikut.