Fondacioni “Aksioni për nëna dhe fëmijë” më 12 maj do të organizojë mbrëmjen bamirëse “Shpëto Jetë” në Hotelin Marriott Cyrih, Zvicër, prej orës 19:00-22:00.
Mbrëmja bamirëse ‘Shpëto Jetë’ ka për qëllim e shpëtimit të jetëve të fëmijëve dhe uljes së shkallës së vdekshmërisë të foshnjave në Kosovë.
Që nga paslufta, kur shkalla e vdekshmërisë ka qenë 29 foshnja në 1,000 lindje, tash kemi arritur ta ulim në 11 vdekje në 1,000 lindje, shifër që ende mbetet më e larta jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë.
Mbrëmja do të shoqërohet me tingujt e muzikës së artistes së mirënjohur Elina Duni, ku do të shërbehen pije dhe aperitif, me të cilin rast do të mbahet edhe një ankand i qetë. Ngjarja është e hapur për publikun përmes blerjes së biletës në vlerë prej 100 CHF për person. Persona të biznesit dhe filantropë ftohen të mbështesin mbrëmjen në cilësinë e sponsorëve, përcjell albinfo.ch.
Ngjarja bëhet e mundur falë mbështetjes së platformës AlbInfo.ch, kompanisë Eurokoha si dhe platformës Jamatu.
Aksioni për nëna dhe fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjat e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës.