Rreth 300 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të një helmimi që ka ndodhur të premten pas ngrënies së iftari në restorantin ”Garden” në afërsi të Gjilanit. Këshilltarja komunale e PSD-së, Festa Shabani përmes një statusi në facebook ka njoftuar se ka vizituar 20 personat e helmuar që po vazhdojnë të jenë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit.
“Javë më parë në Kuvend Komunal e ngrita si shqetësim mungesën e kontrollit të mishit në Gjilan. Që nga mbrëmë, 20 të helmuar vazhdojnë të jenë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit e mbi 300 persona kanë kërkuar ndihmë në qendrën emergjente. I vizitova, dhe të gjithë kishin shkallë të lartë të helmimit. Të gjithë të helmuar nga mishi”, ka thënë ajo.
Shabani deklaron se është momenti i fundit kur Komuna bashkë AVUK-un duhet të zgjohen nga gjumi.
Por drejtori i inspeksionit komunal Nevzat Rushiti ka thënë se inspektorët e komunës së Gjilanit nuk kanë kompetenca për të kontrolluar restaurantin “Garden”, aty ku edhe ka ndodhur helmimi sepse bëhet fjalë për territorin e Novobërdës dhe nuk është në territor të Gjilanit edhe pse vendi gjendet pak më shumë së një kilometër nga qendra e Gjilanit.
E Prokuroria e Gjilanit ka marr vendim që të mbyll përkohësisht restorantin ”Garden”, pas rastit të helmimit.