Një qendër për strehimin e migrantëve në ishullin italian të Sicilisë, që ishte një nga më të mëdhatë në Evropë, është mbyllur zyrtarisht.
Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini mori pjesë në mbylljen e qendrës Mineo, e cila në kulmin e saj kishte më shumë se 4,000 vetë.
Udhëheqësi i partisë, Lega Nord, ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj emigracionit.
Italia është hyrja kryesore për emigrantët që kalojnë Mesdheun nga Afrika e Veriut në Evropë.
Qeveria Italiane është përpjekur të zvogëlojë numrin e njerëzve që vijnë duke ndaluar anijet e shpëtimit që mbartin emigrantë në portet e saj, transmeton Scan.
Komisioneri i BE për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopulos, u ka bërë thirrje 28 shteteve anëtare të bllokut që të arrijnë një marrëveshje të përkohshme për marrjen e emigrantëve deri në arritjen e marrëveshjeve të përhershme, përcjell albinfo.ch.
Vendimi për mbylljen e qendrës Mineo u njoftua muajin e kaluar, pasi numri i azil kërkuesve ka rënë nga 2,526 një vit më parë në 152, njoftoi agjencia e lajmeve Ansa.