Zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Bankës Qendrore të Kosovës kanë thënë se kanë përmbyllur me sukses ankandin e parë për letrat me vlerë në shumë prej 10 milionë euro.
Ministri i Financave, Bedri Hamza ka theksuar se ky është një sukses i Qeverisë dhe BQK-së, që hap mundësitë për zhvillim ekonomik të vendit.
Sipas tij, letrat me vlerë janë shitur me një normë prej 3.5 %.
Ai po ashtu ka vënë në pah se me këtë janë rritur mundësitë për investitorët e huaj që duan të investojnë në Kosovës.
Kurse, guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri emetimin e ankandit të parë të letrave me vlerë e ka vlerësuar si ditë historike. Sipas tij, me këtë Kosova po shkon drejt konsolidimit të tregut të parasë.
Qeveria e Kosovës përmes emetimit të letrave me vlerë mendon që brenda një viti të inkasojë 74 milionë euro, duke ndryshuar dhe Ligjin për Trustin pensional, i cili do të mundësojë kthimin deri në 30 % të mjeteve në vend.