Udhëtarët në një nga linjat më të rëndësishme hekurudhore të Zvicrës pritet të përballen me ndërprerje të mëdha këtë verë. Kompania kombëtare e hekurudhave SBB ka njoftuar se linja Fribourg–Bern do të mbyllet për punime të gjera mirëmbajtjeje nga data 27 qershor në orën 10:30 deri më 25 gusht në orën 04:00 të mëngjesit, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.
Kjo linjë përbën një arterie kyçe për udhëtimin midis pjesëve gjermanisht- dhe frëngjisht-folëse të vendit, duke shërbyer si një nyje e rëndësishme për trenat e distancave të shkurtra dhe të gjata.
SBB ka paralajmëruar ndërprerje të konsiderueshme në trafikun e trenave, por ka siguruar se do të vihet në zbatim një shërbim zëvendësues me autobusë, të cilët do të qarkullojnë çdo 10 minuta për të mbuluar linjën e prekur, veçanërisht për udhëtimet e distancës së gjatë.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që të planifikojnë paraprakisht, të kontrollojnë oraret në aplikacionin e SBB dhe të llogarisin kohë shtesë për udhëtimet e tyre gjatë kësaj periudhe, transmeton albinfo.ch.