13 banka zvicerane private janë “avulluar” vitin e kaluar. Shumica prej tyre kanë likuiduar biznesin e tyre bankar në Zvicër.
Gjatë tre vjetëve të ardhshëm pritet që numri i tyre të zvogëlohet edhe më shumë, thotë një studim i realizuar nga firma konsulente “KPMG” dhe Universiteti i St.Galenit.
Sipas studimit, pritet një rënie prej 25 në 30 për qind. Ky vlerësim është i bazuar në situatën e dobët financiare të shumë bankave private.
Për realizimin e studimit janë analizuar asetet e 103 bankave aktive në Zvicër. Probleme kanë veçanërisht bankat e vogla dhe të mesme. Kjo mund të shpjegohet, sipas Philipp RICKERT nga KPMG, ngase bankat e vogla dhe të mesme kanë menaxhuar biznesin e tyre duke u bazuar në modelin e bankave të mëdha. Kjo strategji shumë rrallë është e suksesshme.