Avokati mbrojtës i të akuzuarit Sabit. I., për vrasjen e të dashurës ka mbajtur sot pledoajenë e tij para trupit gjykues në Gjykatën e Qarkut në Uster të Cyrihut.
Ai, në mbrojtjen e tij ka pleduar për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje. Për këto vepra penale, avokati i kosovarit 23 vjeçar ka thënë se 39 muaj burg do të ishte masa më e lartë e mundshme. Ai po ashtu ka kërkuar që klienti i tij të lirohej nga akuza për rrezikim jete.
Avokati Mario Bortoluzi, që është mbrojtës për nga detyra, ka ngulur këmbë se dorasi nuk ka dashur ta vriste të dashurën e tij por vrasja kjo kishte ndodhur në mënyrë aksidentale.
Bortoluzi me këtë rast ka kritikuar mediet, të cilat, sipas tij, e kanë demonizuar “duke e paraqitur si bishë të egër” klientin e tij.
Trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Uster pritet që vendimin ta shpallë deri në fund të kësaj jave.