Vjosa Osmani, deri më tani ka dalë kandidatja më e votuar në këto zgjedhje, duke lënë prapa vetes bartësit e listave dhe liderët e partive të tjera politike, transmeton albinfo.ch.
Nga 80 për qind të votave të numëruara deri tani, pa votat e diasporës dhe ato me kusht, në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani ka fituar 200, 245 vota, kurse ish bashkëpartiaku i saj nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti deri më tani ka grumbulluar 50,204 vota.
Nga ana tjetër, kryetari në detyrë dhe bartësi i listës dhe kandidati për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj mori gjithsej 73, 615 vota.
Ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë gjithsej 30,189 vota.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe bartësi i listës, Fatmir Limaj, ka marrë gjithsej 13,121vota.
Vlen të theksohet se në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë në vend me 47.85% të votave. PDK doli partia e dytë më 17.41%, LDK e treta me 13.08%, kurse AAK fitoi 7.43% dhe Lista serbe 5.54%, Nisma Socialdemokrate nuk e ka kaluar pragun zgjedhor, duke marrë vetëm 2.6% të votave.