Në kuadër të projektit të trajnimit të mësuesve shqiptarë për punën me setin e doracakëve didaktikë të mësimit të gjuhës së prejardhjes, në ambientet e Qendrës Kulturore “Vatra” u mbajt seminar me mësuesit e mësimit plotësues shqip në Belgjikë dhe Luksemburg.
Ky projekt është zhvilluar nga Qendra për Projekte Ndërkombëtare të Edukimit (IPE) e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Zyrihut dhe MASHT në Kosovë. Në këtë seminar ligjërues ishin z. Nexhat Maloku, docent në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Zyrihut dhe kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër “Naim Frashëri” dhe z. Nuhi Gashi, zyrtar i MASHT-it dhe bashkëpunëtor i projektit.
Amet Gjanaj nga “Vatra”, në fjalën hapëse falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për gatishmërinë dhe tha se uron që ky të jetë një hap tjetër në vazhdimin e përpjekjeve për zhvillimin e mësimit plotësues shqip në diasporë. Kenan Tora nga Ambasada e RKS në Bruksel, përshëndeti organizimin e këtij seminari dhe nënvizoi:
“Mësimi plotësues është njëri ndër dimensionet kryesore të trashëgimit të dashurisë për atdheun përmes gjuhës dhe kulturës tonë”, tha Tora.