Zviceranët me të drejtë vote përfundimisht do të kenë rastin të votojnë në referendum për ose kundër ngritjes së çmimit të vinjetave për autostradë. Aktualisht çmimi i një vinjete është 40 franga ndërsa sipas propozimit qeveritar ajo duhet të kushtojë 100 franga, shkruan nzz.ch.
Komiteti që ka bërë gati iniciativën është i vendosur kundër ngritjes së çmimit në fjalë.
Siç ka njoftuar zyra federale përgjegjëse, janë mbledhur 107.474 nënshkrime për iniciativën, me çka është tejkaluar kushti i kërkuar prej 50 mijë nënshkrimesh.
Sipas propozimit të qeverisë, ngritja e çmimit të vinjetave do të hynte në fuqi në fillim ë vitit 2015, ndërsa referendumi do të mbahet më 24 nëntor të vitit 2013.
Arsyetimi për këtë ngritje çmimi është mungesa e fondeve për mirëmbajtjen teknike të autostradave zvicerane.
Po këtë ditë do të hidhet në votim edhe iniciativa për proporcionin 1:12 në mes të pagave më të vogla e atyre më të mëdha si dhe iniciativa e SVP-së për familjen.