Policia në Shqipëri njofton se rreth orës 02.30 të mëngjesit të sotëm një grabitje ka ndodhur në një pikë karburanti në aksin rrugor Vlorë-Babicë.
Policia thotë se tre persona të cilët ende nuk janë identifikuar kanë hyrë të maskuar dhe me armë zjarri në pikën e karburantit të cilët kanë arritur të marrin 12 mijë lekë dhe një celular, përcjell albinfo.ch.
“Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku nga verifikimi paraprak ka rezultuar se tre shtetas të paidentifikuar kanë hyrë në karburant të maskuar dhe me një armë zjarri, ku kanë kërcënuar punonjësin e karburantit, shtetasin M.M., 60 vjeç, duke i marrë (vjedhur) një sasi lekësh prej 12.000 mijë lekë të reja dhe një aparat celular, dhe janë larguar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu njoftohet se ka ngritur pika kontrolli dhe po shikon pamjet filmike të marra nga disa pika të ndryshme nga ku mund të kenë lëvizur autorët.