Përfaqësues të bashkësive fetare në Kosovë kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës bëhet thirrje që në Projektkodin Civil, të mos bëhen ndryshime sa i përket martesës dhe familjes, transmeton Albinfo.ch.
Deklarata e cila u nënshkrua nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Femi Cakolli, dhe kryetari i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri konsideron se kjo iniciativë cenon “fjalën e Zotit”.
“Të prekësh ripërkufizimin e martesës dhe të pjesëmarrësve në të, pra të burrit i lindur mashkull, dhe të gruas e lindur femër, mendojmë se po cenohet drejtpërdrejt fjala e vullneti i Zotit si dhe mbulesa e tij e shenjtë për të gjithë familjen njerëzore e cila ka nisur prej një burri e një gruaja me bekimin dhe urdhërimin e shumëzimit të përjetshëm. Me bashkimin apo bashkëjetesën e dy personave me gjini të njëjtë nuk mund të pajtohemi kurrsesi që ta quajmë as martesë e as kurorëzim dhe jemi kundër orientimit që këta individë që lidhin bashkëjetesë të adaptojnë fëmijë”, thuhet në deklaratë.