Pas afro dy vitesh negociata, siguruesit shëndetësorë, spitalet dhe fizioterapistët në Zvicër kanë arritur një marrëveshje për një strukturë të re tarifore në shërbimet e fizioterapisë.
Këshilli Federal tashmë pritet të marrë vendimin përfundimtar mbi tarifat e reja. Shoqatat Physioswiss, H+ Vos Hôpitaux dhe prio.swiss, që përfaqësojnë siguruesit shëndetësorë dhe institucionet mjekësore, kanë përmbyllur negociatat dhe ia kanë dorëzuar propozimin qeverisë. Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit 2027.
Sipas një njoftimi për media të publikuar të martën, procesi i negociatave për këtë reformë ka zgjatur gati dy vjet. Tre shoqatat e konsiderojnë kalimin nga një tarifë fikse në një tarifim të bazuar në shërbim dhe kohë si një hap vendimtar drejt një sistemi më të drejtë.
Faturim çdo 5 minuta
Sipas planit të ri, duke filluar nga viti 2027, shërbimet e fizioterapisë do të faturohen në intervale prej pesë minutash. Kjo pritet të rrisë transparencën në faturim dhe të reflektojë më saktë kohën dhe punën e kryer nga profesionistët.
Gjithashtu, negociimi, llogaritja dhe vlerësimi i shërbimeve do të bazohen në të dhëna aktuale dhe përfaqësuese mbi kostot dhe shërbimet e ofruara.
Këshilli Federal kishte njoftuar për përshtatjen e strukturës tarifore në fizioterapi që në fillim të vitit 2023. Në pranverën e vitit 2024, ai u kishte dhënë palëve afat deri në prill të vitit 2026 për rishikimin e marrëveshjes.