Skip to content

Me marrëveshje, kundër shitjes së armëve zvicerane terroristëve

Marrëveshja synon parandalimin në radhë të parë të shitjes së armatimit bandave të armatosura dhe trupave të rebeluara

Zvicra është vendi i 63-të që ratifikon marrëveshjen ndërkombëtare që rregullon tregtinë globale me armë. Qeveria Federale me këtë veprim obligohet që armët e Zvicrës të mos bien në duar të gabuara. Kjo është marrëveshja e parë e cila në mënyrë detyruese kufizon tregtinë me armë. Zvicra ka qenë ndër vendet e para që kanë bashkëpunuar në përpilimin e kësaj marrëveshjeje.

Duke qenë se marrëveshja në fjalë nuk e kufizonte në masë të madhe industrinë ushtarake të Zvicrës, me raszon e nënshkrimit të saj nuk kishte pasur rezistencë të madhe politike. Marrëveshja synonte krijimin e transparencës në nivel global duke parandaluar në radhë të parë shitjen e armatimit bandave të armatosura dhe trupave të rebeluara.

Por me marrëveshje nuk ndalohet eksporti i armatimit në shtete të ndryshme, përfshirë këtu edhe ato ku shkelen të drejtat e njeriut. Ndalohet vetëm shitja e tyre kur vendi i caktuar me këto armë shkel të drejtat e njeriut. Në këtë mënyrë edhe më tutje lejohet shitja e aeroplanëve luftarakë, tankeve ose raketave kundërajrore në shtetet si Arabia Saudite, pakistani ose shtete tjera që kanë probleme të kësaj natyre, pasi që armët e përmendura nuk përdoren për shtypjen e demonstratave ose për torturim të njerëzve.

Megjithatë, kjo marrëveshje qe përshëndetur nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si hap të rëndësishëm përpara. Atë planifikon ta nënshkruajë edhe SHBA si eksportuesi më i madh i armëve në botë, ndërsa Rusia dhe Kina janë kundër.