Së fundi, anëtari i Këshillit të Bashkisë së Nju-Jorkut dhe anëtari i KKD-së, Mark Gjonaj, në një intervistë dhënë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se “Diaspora është thesari i Shqipërisë”.
Po ashtu, Gjonaj ka vlerësuar kontributin vullnetar të shqiptarëve kudo në botë për solidaritetin e treguar në mbledhjen e ndihmave për banorët e prekur nga tërmeti.
Sipas tij, tërmeti në Shqipëri ishte mjaft i prekur nga pamjet dhe pasojat e rënda në njerëz dhe objekte që shkaktoi.
“Nuk do t’i harrojmë kurrë ato imazhe me humbje jetësh. Pastaj ishte një humbje e madhe pasurish dhe shtëpish. Të gjithë këto familje kanë nevojë për ndihmë, për një shtëpi apo një strehë mbi krye”, tha zoti Gjonaj.
Gjithashtu ai theksoi se detyra më e ngutshme është kapërcimi i traumës së fëmijëve. Ata janë më të dëmtuarit dhe kthimi i tyre në normalitet është puna më e vështirë.
“Jeta në Shqipëri ka ndryshuar pas këtij tërmeti. Ju lumtë atyre shqiptarëve që dhurojnë fonde në SHBA dhe vende të tjera. Ndihma nevojitet të jetë sa më e gjatë, sepse nevoja për fonde ndihmëse ka për të qenë shumë e gjatë”, tha zoti Gjonaj për “Zërin e Amerikës”, përcjell albinfo.ch.