Pas kërcënimeve të Komisionit Evropian se Maqedonisë dhe Serbisë mund t’ia kthejnë regjimin e vizave për shkak të azilkërkuesve, Shkupi zyrtar ka marrë masa shtesë kundër azilkërkuesve të rrejshëm. Një person, tashëm është arrestuar nën dyshimin për transportimin e personave në BE.
Sipas një njoftimi lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, një person është arrestuar në vendkalimin kufitar Bllacë me Kosovën, i cili dyshohet për përfshirje në trafikim dhe transport ilegal të qytetarëve të Maqedonisë, që kishin synim destinacionin drejt BE-së për përfitim të statusit të azilit.
Sipas agjencisë INA, i arrestuari, i moshës 34 vjeçare punonte si taksist pa licencë nga Shkupi në drejtim të Kosovës.
Sipas policisë, personi i ndaluar ka përfituar 1.800 euro nga dy familje nga Shutka e Shkupit, të cilëve u kishte premtuar se do ti transportonte në Frankfurt të Gjermanisë.