Sipas kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, Maqedonia shpreson të zgjidhë kontestin e emrit me Greqinë deri në kohën e samitit të NATO-s këtë verë.
Greqia refuzon ta njohë Maqedoninë me këtë emër, duke thënë se një gjë e tillë sugjeron se Shkupi ka pretendime territoriale ndaj një rajoni verior të Greqisë, i cili po ashtu quhet Maqedoni.
Dy vendet, së voni, i kanë intensifikuar përpjekjet për zgjidhjen e kontestit.
“Besoj se do të jemi në gjendje t’i përfundojmë negociatat me sukses deri në samitin e NATO-s në korrik”, ka deklaruar Zaev në një intervistë për radio-stacionin austriak ORF, transmeton “RadioEvropaeLirë”.
Ky kontest i ka penguar Maqedonisë përpjekjet që t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian, teksa Greqia është pjesë e të dyjave. Samiti i NATO-s mbahet më 11 dhe 12 korrik në Bruksel.