Komiteti për Imunizim në Maqedoninë e Veriut ka propozuar marrjen e dozës së tretë të vaksinës nga disa kategori qytetarësh.
Ekspertët e Shëndetësisë rekomandojnë marrjen e dozës së tretë për qytetarët mbi 60 vjeç, të gjithë punonjësit shëndetësorë, pavarësisht moshës dhe për pacientët me imunitet të dobët, pavarësisht moshës.
Sipas tyre, doza e tretë do të jetë vaksinë e Pfizer dhe duhet të merret gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë të çdo qytetari.
Qytetarët e kategorive për të cilët rekomandohet doza e tretë do të informohen me mesazh për kohën kur duhet ta marrin vaksinën e tretë.
Për momentin vetëm ata që kanë marrë vaksinën e Pfizer rekomandohet të marrin edhe dozën e tretë, ndërsa për vaksinat e llojeve të tjera ende nuk ka vendim.
Deri tani në Maqedoninë e Veriut me dy doza janë vaksinuar mbi 700 mijë qytetarë. Por nëse merren si fakt vaksinimi me të paktën një dozë, atëherë deri 37% e popullatës tashmë është vaksinuar.