Maqedonia ka filluar zyrtarisht bisedimet aderuese me NATO-n, deklaroi ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, në konferencën e përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe koordinatorin kombëtar për NATO-n, Stevo Pendarovski. Me fillimin e bisedimeve aderuese për Aleancën, Maqedonia hyn në fazën e dytë. Faza e parë e procesit filloi me marrjen e ftesës për në NATO, në korrik të vitit 2018.
“Në bisedime hyjmë të mbushur me optimizëm dhe dëshirë për sukses. Para nesh është rasti që shteti ynë të bëhet anëtar i aleancës më të fuqishme për siguri kolektive, që bashkon shtete me cilësi më të lartë jetese dhe mbi 900 milionë qytetarë”, deklaroi Shekerinska.
Ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov, në konferencën e përbashkët rikujtoi deklaratën e parë të Kuvendit të vitit 1993, kur të gjitha partitë politike theksuan se ardhmërinë e Maqedonisë e shohin në NATO.