Nga 4 mijë deri në 5 mijë euro duhet të gjobiten institucionet që nuk i zbatojnë dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, së bashku me zyrtarin, drejtues të institucionit përkatës.
Por, që prej hyrjes në fuqi të ligjit, funksionimit të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Inspektorati për përdorimin e gjuhës asnjë gjobë nuk ka faturuar, ndërsa tradita e mosrespektimit të gjuhës shqipe vazhdon thuajse si më parë.
Duke iu referuar të dhënave të AZGJ-së, shkalla e zbatimit të gjuhës është shumë e ulët, në shumë sektorë e institucione. Madje, prej 428 pyetësorëve drejtuar institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, mori përgjigje nga vetëm 27 për qind prej tyre (119 institucione), shkruan koha.mk, përcjell Albinfo.ch.
Interesimi i tyre rreth çështjes së përdorimit të gjuhës është i vogël, gjë që shihet edhe në gjuhën e zgjedhur për t’u përgjigjur, kryesisht në maqedonisht. Se sa ankesa janë grumbulluar gjatë kësaj periudhe dyvjeçare nga Inspektorati, nuk japin hollësi.