Universiteti Popullor Shqiptar (UPSH) në Gjenevë mbajti kuvendin e tij vjetor.
Në kuvendin e mbajtur më 10 shkurt 2012, u prezantua raporti i aktivitetit të koordinatores, të përgjegjëses së kurseve si dhe të arkëtares.
Rreth 60 të pranishmëve në sallë iu drejtua edhe Presidentja në largim, zonja Maria Roth- Bernasconi, parlamentare federale dhe kryetare e grave social-demokrate zvicerane.
Ajo shprehu kënaqësinë që ka ndier në 4 vitet e Presidencës në zhvillimin e projekteve, në njohjen e diasporave të huaja dhe asaj shqiptare, në forcimin e marrëdhënieve me institucionet vendore.
Roth- Bernasconi i siguroi të pranishmit se do të mbetet gjithnjë mike e shqiptarëve dhe e UPSH-së.
Kuvendi zgjodhi me plebishit kryetarin e ri të UPSH-së, z. Manuel Tornare, i cili ka qenë 3 herë kryetar i Gjenevës, me një karrierë të suksesshme, si në kuadrin e shoqërisë civile ashtu edhe pranë institucioneve shkollore e shtetërore.
Ai ka ndihmuar në mënyrë të veçantë popullatën shqiptare të shpërngulur gjatë viteve të luftës.
Z. Manuel Tornare aktualisht është deputet në Parlamentin e Zvicrës dhe anëtar i Komisionit të këtij Parlamenti për marrëdhëniet me jashtë.