Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi ka fituar edhe një çmim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Ajo është shpallur xhudistja më e mirë për vitin 2016, shkruan albinfo.ch.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) ka konfirmuar se kampionia olimpike ka fituar çmimin për xhudisten më të mirë të vitit “IJF Judoka of the Year Award”.
“Dy herë kampionia e botës, dhe bartësja e flamurit, Majlinda Kelmendi, që për herë të parë i siguroi vendit të saj medalje të artë olimpike në kategorinë -52 kg, mori 5299 pikë.
Kampionia olimpike la prapa brazilianen Rafaela Silva, që si e dyta mori 2565 vota, kurse e treta ishte amerikania Kayla Harrison”, thuhet në komunikatën e IJF-së.
I kënaqur për këtë çmim sigurisht ishte trajneri i saj, Driton Kuka. “Edhe zyrtarisht Majlinda shpallet xhudistja më e mirë sipas votimeve në Federatën Botërore të Xhudos! Urime Botës Shqiptare sportisten më të mirë në rruzullin tokësor, e rritur e ndërtuar në trojet tona Shqipe!”, ka shkruar Kuka në “Facebook”.