Në prag të përfundimit të vitit dhe dekadës, Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka parashtruar një pyetje: “Cili është xhudisti ose xhudistja më e mirë e dekadës?”, ndërsa ka intervistuar disa prej atletëve më të mirë aktualisht, ku ka përfshirë edhe komentatorë dhe analistë të sportit.
Mesin e tyre ka folur edhe legjenda e xhudos, greku i natyralizuar, Ilias Iliadis, i cili vlerëson xhudisten shqiptare si më të mirën e dekadës.
“Majlinda Kelmendi. Është e fortë, ka një xhudo të mirë, por edhe është një person i mirë”, shprehet kampioni i shumëfishtë botëror.
Përpos Ilias Iliadis, një tjetër xhudiste që ka vlerësuar Majlinda Kelmendin si më të mirën e dekadës ka qenë edhe zviceranja Evelyne Tschopp.
“Për mua është Majlinda Kelmendi, pasi është për një kohë të gjatë në nivel të lartë. Ka fituar medalje në Evropian, Botëror dhe Olimpiadë. Është njëra prej më të mirave për mua”, ka nënvizuar xhudistja zvicerane.
Majlinda Kelmendi mbetet favoritja kryesore për medaljen e dytë te artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, shkruan kultplus, përcjell albinfo.ch.