Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para edhe në shumicën e komunave në Kosovë.
Është konfirmuar forca kryesore në 24 komuna, përfshirë ato të cilat llogariten bastione të partive opozitare, transmeton albinfo.ch.
Është e para në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovica e Jugut, Lipjan, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik dhe Hani të Elezit.
Partia Demokratike e Kosovës është e para në Drenas e Skenderaj. Në Deçan ka dalë e para Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kurse në Mamushë KDPT-ja.
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit kanë hyrë në histori sa i përket daljes së qytetarëve në vendvotimet brenda Kosovës. Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 899 mijë e 521 qytetarë, pa i llogaritur votat nga diaspora, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Në përqindje, i bie se të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar afro 45 për qind e atyre me të drejtë vote. Rekordi i pjesëmarrjes në zgjedhje ishte vendosur më 9 shkurt sivjet. Atë kohë në qendrat e votimit në Kosovë kishin votuar 871 mijë e 662 votues. Ndërkaq bashkërisht me votat e diasporës dhe atyre në përfaqësi, numri kishte mbërritur në 966 mijë vota.