Zvicra vazhdon të ketë vështirësi në vendosjen e temës së parandalimit të racizmit në mënyrë të qëndrueshme dhe zyrtare në planet e mësimit të shkollës obligative. Këtë përfundim e ka nxjerrë Komisioni Federal kundër Racizmit EKR në publikimin e tij më të ri gjysmëvjetor «Tangram».
Sipas këtij publikimi, Zvicra në krahasim me shtetet e Bashkimit Evropian mbetet mbrapa nga kjo pikëpamje.
EKR konstaton se e vetmja temë që ka të bëjë me antiracizmin e me të cilën nxënësit takohen në shkolla është ndjekja dhe zhdukja masive e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në kohën e Rajhut të Tretë.
Madje as në planprogramin shkollor kornizë (Lehrplan 21) nocioni «racizëm» nuk paraqitet në asnjë vend, konstaton EKR.
EKR shkruan më tutje në publikimin e tij se kantonet dhe komunat po përballen me numër gjithnjë në rritje të fëmijëve me prejardhje të huaj. Kjo po ndodh edhe në qytetin e Freiburgut, modeli i të cilit për lehtësim të integrimit të këtyre nxënësve prezantohet në një dosie të posaçme të Tangram-it.