Lufta në Ukrainë ka bërë që numri u turistëve nga Rusia dhe Bjellorusia në Shqipëri të jetë i vogël. Operatorët turistikë thonë se lufta i stepi turistë, ndonëse rrugët ishin të hapura.
Shqipëria priti 7.5 milionë vizitorë të huaj vitin e kaluar, raporton ENA, përcjell Albinfo.ch.
Pjesa më e madhe e pushuesve ishin nga vendet fqinje Kosova, Maqedonia e Veriut e Italia, ndërsa hotelet vendase panë edhe një rritje të fortë të vizitorëve britanikë e spanjollë.
Përgjatë verës, qeveria shqiptare lehtësoi vizat edhe për vendet pranë zonës së nxehtë të luftës në Ukrainë, Rusi e Bjellorusi, por vizitorët nga këto vende ishin të paktë.
“Kjo rritje do të kishte qenë akoma më e madhe nëse nuk do të kishte ndikuar lufta në Ukrainë,” ka thënë Besnik Vathi, operator turistik.
Pasiguritë në lindje të Europës dhe inflacioni i lartë deri në 20% stepën qytetarët e Europës Lindore të vinin në Shqipëri, ndërsa operatorët e turizmit presin rritje të mëtejshme të pushuesve, e cila po negociohet edhe tek banorët aziatikë.
“Do të ketë rritje pasi Shqipëria po merr turistë gjithnjë e më shumë edhe nga zona të tjera nga lindja e mesme dhe Azia”, tregoi Vathi.
Në raport me vitin 2021, vizitorët u rritën me 33%, vitin e kaluar./Albinfo.ch/