Në Kantonin e Lucernit, e drejta për të votuar dhe për t`u votuar vazhdon të mbetet e rezervuar vetëm për shtetasit zviceranë.
Vetëm 16 për qind të zviceranëve që kanë dalë në votime i kanë dhënë votën e tyre iniciativës popullore “Mit(be)stimmen” (vendimi dhe vota e përbashkët). Po kështu, kjo iniciativë nuk ka fituar shumicën në asnjë komunë të kantonit.
Mbështetjen më të madhe, iniciativa për të drejtën e të huajve për të votuar në nivel kantoni, e ka gjetur në qytetin e Lucernit.
Rezultati negativ i këtij votimi ishte i parashikueshëm. Me gjithë faktin se Qeveria e kantonit ishte shprehur e hapur për këtë çështje, partitë si CVP, FDP dhe SVP kishin qenë vendosmërisht kundër.