Ministria e Financave ka shpallur fituese kompaninë austriake Austrian Lotteries, në garën për dhënien e licencës për Lotarinë Kombëtare.
Ashtu siç opozita dhe media kishte paralajmëruar për përcaktimin e fituesit, komisioni i vlerësimit të aplikimeve ka rënditur në vend të parë mes 2 kompanive pjesëmarrëse në tender, pikërisht kompaninë austriake Austrian Lotteries.
Në njoftimin per mediat Ministria e Financeve bën të ditur se pas procesit të vlerësimit , Komisioni i Vlerësimit të aplikimeve bazuar në ligjin për lojërat e fatit, aktet dhe dokumentacionet ka njoftuar aplikuesit për renditjen:
-Austrian Lotteries në vend të parë
-LTO Konsorcium në vend të dytë.
Sipas procedurave ligjore, aplikuesit kanë të drejtën e ankimimit për këtë vendim brenda 30 ditëve nga data e shpalljes, tek titullarët e autoritetit, i cili merr vendim brenda 30 ditëve nga paraqitja e kësaj ankesë. Në përfundim të kësaj procedure , titullari bën shpalljen e fituesit. (Balkanweb)