Loriana Kuka ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Prixin e xhudos që po mbahet në Tel Aviv të Izraelit.
Xhudistja kosovare u mposht në finale me shënim të artë nga sllovenja Klara Apotekar, në kategorinë deri në 78 kilogramë.
Kuka shënoi tri fitore. Në luftën e parë mundi holandezen Llona Lucassen, në çerekfinale kaloi Aleksandra Babintseva (Rusi), ndërsa në gjysmëfinale mposhti Natalie Powel (Britani e Madhe).
Loriana fitoi 490 pikë olimpike për Lojërat Olimpike Tokyo 2020.
Kujtojmë që dy ditë më parë Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon sukseset e Lorianës e Majlindës, të cilat, falë trajnerit kampion olimpik, Driton Kuka, po hapërojnë sigurt drejt Lojërave Olimpike Tokyo 2020.