Lisa Vulai është lindur në Tuz të Malit të Zi, ndërsa është rritur dhe jeton në Tirol të Austrisë.
Profesioni i saj është përkthyese për gjuhën shqipe dhe gjuhët sllave, për gjykatat dhe për policinë austriake.
Angazhimi i Lisës në politikë qëndron në përmirësimin e kushteve më të mira për të gjithë qytetarët në Austri, e veçanërisht për të qenë një zë i fuqishëm i shqiptarëve në Parlamentin e Austrisë. Ndonëse prej vitesh është anëtare e Partisë Popullore të Austrisë (ÖVP), kjo është hera e parë që ajo garon për një ulëse në këtë parlament.
Albinfo.at: Jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare në Austri. Ju jeni kandidate nga partia e ÖVP-së. Pse vendoset t’i hyni kësaj gare dhe çfarë do të thotë kjo për ju?
Lisa Vulai: Për disa vjet isha anëtare e partisë së ÖVP-së dhe përkatësisë së besëlidhjes në ÖAAB të Tirolit dhe gjithashtu isha delegate e partisë së qytetit të Innsbruck-ut.
Unë e shikoj këtë si një mundësi për të përfaqësuar interesat e të gjithë bashkatdhetarëve të mi dhe austriakëve në nivel parlamentar.
Albinfo.at: Kanë mbetur edhe disa ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Si po shkon fushata, sa është gara e vështirë?
Lisa Vulai: Çdo gjë e re nuk është e lehtë. As jeta nuk është gjithmonë e lehtë, por mund të arrish shumë nëse me të vërtetë e dëshiron.
Albinfo.at: Ku është fokusi juaj më shumë. Votat e kujt i kërkoni gjatë këtyre zgjedhjeve për një karrige për ju në Parlament?
Lisa Vulai: Unë i ftoj të gjithë bashkatdhetarët, të gjithë austriakët që jetojnë në Tirol, të japin votën preferenciale kandidatit tim kryesor, Jakob Grüner, në nivelin e landit dhe të gjithë qytetarëve që banojnë në Innsbruck – Stadt të më votojnë mua.
Ju lutem, më 29 shtator shënoni një x në listën zgjedhore të Këshillit Nacional Parlamentar në Innsbruck-Stadt, me numrin 11 dhe shkruani Vulai Lisa.
Albinfo.at: Përse e doni këtë karrige? A ka një mision ose qëllim që ju doni të jeni pjesë e Parlamentit austriak?
Lisa Vulai: Për arsye se për mua është një sfidë e re dhe dua të angazhohem 100 për qind për çështjet e bashkëqytetarëve të mi. Misioni im është të ndikoj që çështjet të merren seriozisht dhe të realizohen.
Albinfo.at: Sa vota ju duhen që të zini vend në Parlamentin Federal të Austrisë?
Lisa Vulai: Më duhen të paktën 14% të votave të përgjithshme në zonën time zgjedhore në Innsbruck-Stadt që të kem shans të renditem si një fillestare politike.
Albinfo.at: Cilat janë tri temat me prioritet me të cilat garoni në këto zgjedhje?
Lisa Vulai: Të përfaqësoj interesant e të gjithë bashkatdhetarëve të mi dhe t’i realizoj ato sa më mirë në mënyrë parlamentare.
Të ndërmarr masa për të bërë të dukshme diskriminimin dhe racizmin e përditshëm.
Të lehtësoj dhe të zhvilloj më tej qasjen në profesionet e kujdesit shëndetësor.
Albinfo.at: Sa keni mbështetjen e komunitetit shqiptar në Austri dhe pse mendoni se duhet t’ju votojnë?
Lisa Vulai: I vlerësoj shumë mirë shanset e mia falë besnikërisë sime ndaj bashkatdhetarëve të mi dhe qytetarëve të Innsbruck-ut. Andaj, unë shpresoj se bashkatdhetarët tanë do të dalin më 29 shtator dhe do të votojnë në listën e ÖVP-së, numrin 11 dhe do të shënojnë emrin tim, Vulai Lisa.
