Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, nuk e ka përjashtuar mundësinë që pas një kohe edhe pasuritë e pajustifikueshme të qytetarëve të përfshihen në Ligjin për konfiskimin e pasurive të arritura në mënyrë joligjore.
Ai për KP tha se fillimisht procesi do të nisë me pasuritë e zyrtarëve shtetërorë.
“Pjesë e hetimit të jetë pasuria, pra pasuria fillimisht e zyrtarëve shtetërorë apo personave zyrtarë që futen në të gjitha kategoritë e shërbyesve civilë, të emëruar dhe të zgjedhur. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që gjatë diskutimeve e fazave të mëtutjeshme të futen edhe kategoritë e tjera ose të vlejë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Më tutje ai tha se pas konfiskimit të pasurisë mund t’i hapet rrugë Prokurorisë për hetime të tjera.
“Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e shkurton kohën e sekuestrimin dhe konfiskimit të pasurisë. Pra, nuk ka nevojë që personi i caktuar të dënohet. Ky ligj ndjek vetëm pasurinë e paligjshme, asgjë tjetër, ajo pasuri së pari konfiskohet, pastaj i hapet edhe një rrugë tjetër Prokurorisë që ndaj atij personi të fillojnë procedura penale”, pohoi Sallahu.
Zëvendësministri Drejtësisë deklaroi se ky ligj nuk është hakmarrje ndaj askujt.