29 vjet janë bërë që kur u miratua Deklarata Kushtetuese e Pavarësisë së Kosovës që njihet si 2 Korriku. Atë kohë delegatët e Kuvendit të Kosovës nën kushte tejet të vështira arritën ta miratonin deklaratën e atëhershme duke e shpallur Kosovën njësi të veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
29 vjet pas kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se kjo deklaratë ka qenë pikënisje e shtetësisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.
“Gratë dhe burrat, që e vulosen vullnetin e popullit tonë, do të kujtohen dhe lartësohen nga brezat për përpjekjen e tyre për jetësimin e ëndrrës shekullore, shtetit të pavarur”, ka shkruar Haradinaj.
E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar disa nga delegatët pjesëmarrës të asaj kohe.
Veseli e ka vlerësuar lart veprën e tyre duke thënë se ishte një moment kthese historike për Pavarësinë e Kosovës.
Me rastin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, kanë shkruar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderët e tjerë të institucioneve të Kosovës dhe partive politike.