Nesër, më 14 nëntor, në Bernë, në organizim të Shkollës së Lartë Profesionale të Bernës debatohet mbi hapësirat publike të Prishtinës. Për të ligjëruar mbi këtë temë, është ftuar Liburn Aliu, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Në qershorin e këtij viti, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe drejtorin e urbanizmit, Liburn Aliu, Shkolla e Lartë Profesionale e Bernës, katedra e arkitekturës, ka mbajtur një modul të Shkollës verore, me temën “Kaosi urban i Prishtinës”. Me atë rast janë përpunuar disa projekte për valorizimin e hapësirës publike. Ligjërata e Aliut në Bernë realizohet në kontekst të këtij bashkëpunimi
Në njoftimin dhe ftesën e bërë nga shkolla e përmendur, përshkruhet gjendja e cila mbretëron në Prishtinë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, gjenjde kaotike kjo, e krijuar nga ndërtimet e pakontrolluara.
“Në rrjedhën e kohës, janë rrënuar praktikisht të gjitha ndërtesat që e kanë karakterizuar këtë qytet dhe ato janë zëvendësuar me të reja. Pasi që praktikisht askush nuk i respekton ligjet në fuqi mbi ndërtimin, hapësirat publike po shkatërrohen nga ndërtimet ilegale”, thuhet në tekst, transmeton albinfo.ch.
Drejtori i urbanizmit i Prishtinës, arkitekti i diplomuar Liburn Aliu do të flasë këtu lidhur me problemet në planifikimin e qytetit. Bëhet fjalë para së gjithash për cilësinë e ndërtimit në hapësirën publike, luftimin e korrupsionit dhe ndërtimit ilegal. Do të tregohet me këtë rast se sa e rëndësishme është hapësira publike në procesin shoqëror, shkruan albinfo.ch. Në mënyrë që kryeqyteti i Kosovës t`i fitojë sërish hapësirat e munguara publike, të cilat mund të shfrytëzohen dhe të përjetohen bashkërisht, qytetit i nevojiten autoritete që funksionojnë mirë dhe që i zbatojnë rregulloret e ndërtimit që janë në fuqi.
Ligjërata mbahet të martën, më 14 nëntor, me fillim në orën 19.00.
Do të përshëndesë një përfaqësues nga Ambasada e Kosovës në Zvicër, pastaj Rene Graf, drejtor i Shkollës së Lartë Profesionale të Bernës dhe Jeanette Beck, arkitekte nga Zyra e Planifikimit Urbanistik të Bernës.
Mysafiri, Liburn Aliu, ligjëratën do ta mbajë në gjuhën angleze.
Adresa: Kornhausforum Bern, Kornhausplatz 18, 3011 Bern
Stadtsaal, 1. Obergeschoss