Në Kosovë është konfirmuar rasti i parë me Linë e Majmunit. Në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike bëhet e ditur se i infektuar është një 30 vjeçar, i cili ka vizituar së fundmi Afrikën.
Ministria e Shëndetësisë (MSH) në një përgjigje për portalin rtv21.tv thotë se Laboratori i Mikrobiologjisë i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka mjaftueshëm reagjensa për detektimin e rasteve të reja eventuale të Mpox.
“Komunikimi i rrezikut ka nisur që nga muaji gusht, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli Mpox si emergjencë të shëndetit publik. Për të garantuar një reagim të shpejtë dhe efikas, Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK kanë përditësuar Udhëzuesin për përgjigje të shpejtë, i cili është shpërndarë tek institucionet shëndetësore për të mundësuar detektimin e shpejtë të rasteve. Po ashtu, janë shpërndarë informacione për publikun mbi masat preventive dhe kontrolluese që duhet të ndjekin qytetarët për t’u mbrojtur nga infeksioni. “, thuhet në përgjigjen e MSH-së.