Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, sot më 30 tetor, duke filluar nga ora 18:00, do të mbahet prezantimi i romanit “ë”, të autores shqiptare Jehona Kicaj, shkruan albinfo.ch.
Vepra, e cila ka tërhequr vëmendje të gjerë në qarqet letrare evropiane, është përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimin Gjerman të Librit 2025, një nga vlerësimet më prestigjioze në letërsinë gjermane.
Në këtë ngjarje letrare do të jetë e pranishme edhe vetë autorja, e cila do të ndajë me publikun përvojën krijuese dhe rrugëtimin e romanit që po cilësohet si një prej zërave më origjinalë të letërsisë bashkëkohore shqiptare në diasporë.
Ambasada e Kosovës në Berlin fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë mbrëmje kulturore, që synon të promovojë letërsinë shqiptare dhe krijuesit që po afirmohen në hapësirën evropiane./Albinfo.ch
