Dy nxënës janë goditur nga tensioni i lartë i rrymës përderisa ishin duke luajtur në oborrin e shkollës fillore “Besim Rexhepi” në Komogllavë të komunës së Ferizajt.
Ata kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe janë duke u trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në QKUK, shkruan Albinfo.ch.
Axha i njërit prej të lënduarve, Ismail Haxha thotë të jetë i habitur se si vendosen shtyllat e tensionit të lartë afër shkollës. Ai shton se dy fëmijët kanë marrë djegie të shumta në trup.
Ndërkaq, banorët që ishin afër shkollës kur ka ndodhur rasti, tregojnë që fëmijët kanë qenë në gjendje shumë të rëndë.
Ndërsa, drejtoresha e shkollës, thotë se ka qenë në pushime verore, mirëpo pas këtij rasti, do të bëjnë presion te KEDS-i që t’i largojë këto shtylla.