Fushata zgjedhore ka marrë zyrtarisht hov, dhe diaspora po dëshmon sërish se mbetet një pjesë e pandashme e proceseve politike në Kosovë. Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Bruksel ka mbajtur mbrëmjen e saj tradicionale të Darkës së Lamës, një aktivitet që tanimë është shndërruar në simbol të bashkimit, traditës dhe angazhimit të mërgatës, përcjell albinfo.ch.
Ngjarja u organizua nën udhëheqjen e kryetarit të degës, Bahtir Kastrati, i cili u vlerësua për punën dhe përkushtimin e tij në mbajtjen gjallë të aktivitetit organizativ dhe kulturor të LDK-së në diasporë. Kryesia e degës dhe dhjetëra veprimtarë morën pjesë në mbrëmje, duke e kthyer atë në një manifestim të qartë të bashkëpunimit dhe përkushtimit qytetar.
Në takim u theksua rëndësia e mërgatës në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës. Mesazhi që u përçua ishte i qartë: Mërgata dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë të pandashme — janë një.
Darka e Lamës nuk ishte vetëm një aktivitet kulturor, por edhe një moment i rëndësishëm brenda nisjes së fushatës zgjedhore të LDK-së në diasporë, duke dëshmuar se organizimi politik dhe ruajtja e identitetit kombëtar ecin krah për krah.
Me këtë aktivititet, LDK-ja në Bruksel shënoi hapjen e angazhimeve të saj për zgjedhjet e ardhshme, duke i dhënë prioritet unitetit dhe rolit historik të mërgatës në rrugën politike të vendit.
