Pas balotazhit të zhvilluar në 18 komuna, të dielën, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike do të udhëheqin me nga shtatë komuna, Partia Demokratike do të jetë në pushtet në gjashtë e AAK-ja në pesë.
Pas fitores pa kundërkandidat në Kllokot, Lista Serbe ka fituar në total në dhjetë komuna, të gjitha të banuara me shumicë serbe.
Nisma fitoi në rundin e parë në Malishevë, ashtu si Ramiz Lladrovci në Drenas. KDTP-ja doli e para në Mamushë. Balotazhi i së dielës kaloi i qetë dhe pa incidente të mëdha, transmeton albinfo.ch.
Beteja finale për pushtetin lokal ka marrë epilog të dielën në balotazhin e zhvilluar në 18 komuna të Kosovës. Nëpërmjet votës, qytetarët vendosën se kush do të udhëheqë në Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë-Kosovë, Mitrovicë të Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.
Procesi ka kaluar i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vonesa në hapjen e qendrave të votimit në disa zona, fotografim të fletëvotimeve, e probleme me votimin me asistencë.
Mbi 32.5 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në 18 komunat që ishin në balotazh, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën. Ndërkaq në rundin e parë në të gjitha komunat, dalja ishte rreth 40 për qind.