Kur jemi në prag të 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Serbia ka shtuar aktivitetet e kampanjës propaganduese kundër Kosovës, gjë e cila po implementohet nga mediat serbe të kontrolluara nga qeveria e atjeshme. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, përcjell albinfo.ch.
Me anë të një postimi në “Twitter”, Hoxhaj theksoi se këto sulme ndaj Kosovës, po ndodhin për ta dëmtuar imazhin e vendit në prag të 10 vjetorit të shtetësisë.
“Lajmet e rrejshme dhe kërcënimet e vazhdueshme në ndarje të territorit e ndryshim të kufijve janë pjesë e kampanjës sistematike kundër Kosovës dhe të ardhmes euro-atlantike të rajonit”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetet sociale.
Kujtojmë që disa media kanë shkruar se po flitet për ndarjen e territoreve, ku Kosova do të ndahej në disa pjesë.