Duke filluar nga 6 maji, Jura do të jetë kantoni i parë që do të zgjerojë procesin e vaksinimit për gjithë popullsinë mbi moshën 16 vjeçare. Ky njoftim konfirmohet përmes një komunikate për media, të publikuar nga kantoni.
Kjo bëhet e mundur falë furnizimeve në rritje me dy vaksinat e aprovuara në Zvicër dhe rritjes së ndjeshme të kapacitetit të qendrës vaksinuese kantonale (CEVAC) në Courtételle, transmeton albinfo.ch. Përveç kësaj, edhe poliklinika e Spitalit Jura në Pruntrut ka rritur kapacitetin e saj.
Adoleshentët midis moshës 16 dhe 17 vjeç duhet të regjistrohen për vaksinimin përmes linjës telefonike, pasi për këtë grup moshë zyrtarisht lejohet vetëm vaksina Pfizer .
Deri më tani, mbi dhjetë për qind e popullsisë së kantonit është vaksinuar plotësisht – domethënë 7,713 njerëz. Përveç kësaj, janë rreth nëntë për qind të cilët kanë marrë tashmë vetëm dozën e parë. Me këto shifra, kantoni Jura është në përputhje me mesataren e Zvicrës.
Siç është raportuar tashmë, disa prej kantoneve kanë shpejtuar dhe zgjeruar procesin e vaksinimit. Kështu, Kantoni Vaud ka njoftuar të hënën se edhe 18-vjeçarë tani mund të regjistrohen për vaksinim, përcjell albinfo.ch. Ndërkaq vaksinimi për 16-vjeçarët pritet që së shpejti të jetë i mundshëm edhe në Kantonin Uri.